Blefaroplastika
Rimodelimi i qepallave dhe qeskave të syve
Nëse jeni të pakënaqur me pamjen e qeskave të syve apo qepallat e rëna, atëherë ne ju rekomandojmë blefaroplastikën e cila mund të korrigjojë këto probleme përgjithmonë. Nëpërmjet operacionit të blefaroplastikës mund të korrigjohen jo vetëm qepallat e rëna të syve apo qeskat e syve por edhe pamja e syve të lodhur që shpesh na krijon qeskat e errëta. Për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve ju mund ti drejtoheni kirurgut plastik për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve:
- Eliminimi i qepallave të sipërme: Ndërhyet përgjatë linjës natyrale të qepallës për të kryer eliminimin e lëkurës së tepërt dhe nëse është e nevojshme, rimodelohet edhe muskuli. Më pas mbyllet prerja me fije shumë të holla.
- Korrigjimi i qeskave të syrit: Prerja bëhet poshtë qerpikëve në qepallën e poshtme dhe fshihet mirë nga rrudhat e syrit që krijohen nga e qeshura. Lëkura ndahet nga muskuli dhe pjesa dhjamore dhe eliminohet lëkura e tepërt. Një pjesë e dhjamit mund të vendoset për të mbushur kanalin që krijohet në zonën e poshtme të syve që shpesh e quajmë “occhiaie” ose qeskat e errëta të syve. Prerja mbyllet zakonisht me fije të tretshme.
- Blefaroplastika trans-konjunktivale: Dhjami i gjendur në pjesën e poshtme të syrit, në të ashtëquajturat qeskat e syve, mund të krijohet edhe pa lëshim të tepërt të lëkurës. Në këtë rast, lëkura nuk është e nevojshme të eliminohet dhe prerja bëhet nga brenda qepallës së poshtme. Kjo teknikë shmang tërësisht shenjat e dukshme.
Konsulta e bërë paraprakisht me kirurgun estetik për rimodelimin e qepallave apo qeskave të syve do të jetë ajo që do të përcaktojë se cila procedurë është më e përshtatshme për përmirësimin estetik të synuar. Operacioni i blefaroplastikës zgjat 45 – 90 minuta dhe realizohet në anestezi lokale. Ky operacion mund të kryhet i kombinuar edhe me ndërhyrje të tjera si liposucion i gushës apo injektim i dhjamit në zona të ndryshme të fytyrës si pjesa e poshtme e syrit, mollëza dhe në mimikën e buzëqeshjes.
Paraprakisht
- Ditën që kryeni konsultën me kirurgun duhet të informoni atë nëse jeni alergjik ndaj ndonjë medikamenti si dhe ti referoni mjekut nëse jeni duke marrë ndonjë medikament për arsye shëndetësore të cilat mund të influencojnë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale;
- Disa ditë përpara operacionit do të kryeni një sërë ekzaminimesh pre-operatore të cilat informojnë stafin mjekësor mbi gjendjen tuaj shëndetësore përpara kryerjes së operacionit;
- Të paktën dy javë përpara operacionit duhet të ndërprisni marrjen e barnave me përmbajtje Acid Acetilsalicilik (si për shembull Aspirina, Vivin C, Kardiospirina etj.) si edhe marrjen e antikoagulantëve oralë. Ndërprerja e ndonjë terapie për arsye të operacionit duhet konsultuar paraprakisht me mjekun që ju ka përshkruar terapinë;
- Duhani duhet të ndërpritet të paktën dy javë përpara ndërhyrjes;
- Pacienti duhet të ketë bërë dush, të heqë produktet xhel apo manikyr të thonjve ditën para operacionit si dhe të mos konsumojë ushqime apo lëngje të paktën tetë orë përpara ndërhyrjes;
- Rekomandojmë që pacientët ditën e ndërhyrjes të paraqiten me veshje komode me kopsa ose me zinxhir.
Rekuperimi
Pas ndërhyrjes së blefaroplastikës pacientët sugjerohet të mbajnë kokën të ngritur për disa ditë dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Qepjet (suturat) hiqen përafërsisht 3 – 5 ditë pas operacionit nga stafi mjekësor i klinikës. Edemat apo shenjat e zeza mund të zgjasin 1 – 2 javë, megjithatë kjo ndryshon në varësi të reagimit individual. Shumë pacientë kthehen 5 – 7 ditë pas ndërhyrjes edhe pse është e këshillueshme që të merren minimalisht një javë pushim pas operacionit.