Lifting i gjoksit
Me kalimin e viteve, është shumë e zakonshme që gjoksi të humbasë tonusin dhe fortësinë e tij dhe të fillojë të varet si pasojë e moshës, luhatjeve të peshës, shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji. Edhe pse operacioni lifting i gjoksit nuk shërben për ta bërë gjoksin më të madh ose më të plotë, kjo ndërhyrje ndihmon në ngadalësimin e efekteve të plakjes duke tendosur lëkurën e gjoksit. Gjithashtu, operacioni i ngritjes së gjoksit mund të jetë i dobishëm për zvogëlimin e areolës, e cila është zona me pigment të errët përreth mamelës (thithës) së gjoksit. Ngritja e gjoksit mund të kombinohet edhe me zmadhimin e tij, veçanërisht për gratë të cilat kanë humbur volumin e gjoksit të tyre nga shtatzania apo nga humbja në peshë.
Operacioni lifting i gjoksit kryhet në sallë operatore në anestezi totale dhe zgjat 2 – 2.5 orë. Pas ndërhyrjes rekomandohet qëndrimi në spital për 1 – 2 netë me qëllim monitorimin e vazhdueshëm të pacientit. Kirurgët estetikë të Klinikës DaVINCI realizojnë ndërhyrjen lifting të gjoksit duke lënë një cicatrice (shenjë) të hollë përreth mamelës së gjoksit dhe në pjesën e poshtme të gjoksit në formë _I_. Rezultati pas operacionit është një gjoks i ngritur dhe i tendosur. Operacioni i ngritjes së gjoksit mund të kryhet i kombinuar edhe me ndërhyrje të tjera estetike si për shembull zmadhimi i gjoksit me protezë apo me dhjam.
Paraprakisht
- Ditën që kryeni konsultën me kirurgun duhet të informoni atë nëse jeni alergjik ndaj ndonjë medikamenti si dhe ti referoni mjekut nëse jeni duke marrë ndonjë medikament për arsye shëndetësore të cilat mund të influencojnë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale;
- Disa ditë përpara operacionit do të kryeni një sërë ekzaminimesh pre-operatore të cilat informojnë stafin mjekësor mbi gjendjen tuaj shëndetësore përpara kryerjes së operacionit;
- Të paktën dy javë përpara operacionit duhet të ndërprisni marrjen e barnave me përmbajtje Acid Acetilsalicilik (si për shembull Aspirina, Vivin C, Kardiospirina etj.) si dhe marrjen e antikoagulantëve oralë. Ndërprerja e ndonjë terapie për arsye të operacionit duhet konsultuar paraprakisht me mjekun që ju ka përshkruar terapinë;
- Duhani duhet të ndërpritet të paktën dy javë përpara ndërhyrjes;
- Pacienti duhet të ketë bërë dush, të heqë produktet xhel apo manikyr të thonjve ditën para operacionit si dhe të mos konsumojë ushqime apo lëngje të paktën tetë orë përpara ndërhyrjes;
- Rekomandojmë që pacientët ditën e operacionit të paraqiten me veshje komode me kopsa ose me zinxhir.
Pas operacionit
Menjëherë pas operacionit lifting i gjoksit është normale që pacientët të ndjejnë dhimbje në kraharor. Mjekët tanë do përkujdesen për zvogëlimin e këtyre dhimbjeve duke ju këshilluar medikamente kundër dhimbjeve. Në javën e parë pas ndërhyrjes kirurgu do ju përshkruajë marrjen e disa mjekimeve për të ulur rrezikun e ndërlikimeve post-operatore. Pas operacionit stafi do ju pajisë me recipeta kirurgjikale të cilat janë të përshtatshme të vishen gjatë shërimit. Është normale që gjoksi të jetë i enjtur dhe të krijojë bezdi 2 – 3 javët e para.
Shenjat e ndërhyrjes post lifting të gjoksit do të mbeten të kuqe deri në gjashtë muajt e parë e më vonë do të vijnë dalëngadalë duke u zbehur dhe duke iu përafruar ngjyrës së lëkurës tuaj. Shumica e pacientëve që punojnë në zyra mund të kthehen në punë edhe një javë pas operacionit. Rezultatet përfundimtare nga ngritja e gjoksit shihen zakonisht pas gjashtë muajsh dhe janë të qëndrueshme në kohë.